everteta

Shqiperine Etnike e kishim realitet por na e shendruan ne ender. Eshte detyra e jone ta shendrojme endren e Shqiperise Etnike ne realitet . Beje ose vdis!

Saturday, May 06, 2006

Vizite ne vendin tim

Nuk ka aspak rëndësi nëse jam prej Prespe, Këshave apo Ostreci. Tashmë dihet nga të gjithë se një numër të ndjeshëm të shqiptarëve të Australisë e bëjnë pikërisht banorët e këtyre fshatrave përreth qytetit të Manastirit në Iliridë. E rëndësishmja është se e dua së tepërmi vendin tim, paçka se jam rritur në Melburn, në këtë qytet të mrekullueshëm. Atdhetdashurinë e kam të trashëguar prej tharmit, gjakut të prindërve që u detyruan të marrin udhët e mërgimit plot 30vjet më pare. Krenarinë e të qënurit shqiptar e kam të mëkuar prej këngëve tona. Si me qumështin e nënës jam ushqyer me epizmin, heroikën e tyre. Në to kam mësuar historinë, luftrat tona të pafundme për liri. Skënderbeun,Ismail Qemalin e Adem Jasharin i kam idhuj. Ndërsa Nënë Terezën ikonë. Më së fundi munda të bëja realitet ëndrrën e jetës sime. Me qindra, me mijra herë ma pat prishur gjumin e natës. Pak muaj më parë,pikërisht kur u bëra plot 25 vjeç arrita të vizitoj vendlindjen. Madje dua t’u them se atje gjeta edhe shoqen time të jetës. Pra, u fejova e në të njëjtën kohë çova në vend amanetin e gjyshes ,e cila nuk donte kurrë që ta lidhja jetën me një të huaj. Fshatrat tona përreth Manastirit më pëlqyen, veç për të qënë i sinqertë duhet të them se më lanë edhe një shije të hidhur. Të bukur, por skajsisht të varfër. Ostrecin dhe Këshavën i ngatërroj ende me njëri-tjetrin. Të dy më duken njësoj. Ndërtuar mes malesh të lartë që për të mos thënë kurrë rrallë herë i has këtu në Australi. Infrastruktura i mungonte pothuajse tërësisht. Me shumë rrugë bagëtish. Veç njerëzit qenë shumë të dashur e të afruar.Mbi të gjithë kushërinjtë.Apo ndofta varferia i bën njerzit me te mirë. Ata habiteshin me shqipen time të njëjtë me te tyren. Nuk do të më hiqen nga kujtesa asnjëherë netët që fjeta në shtëpinë e vjetër të nënës e të babait. Prej mendimeve të shumta gjumi do të më zinte vonë. Kurse në agim do të më zgjonte kënga e këndezit si dhe blegërima e bagëtive. Bile një natë pashë edhe një ëndërr. Veç nuk arrita të kuptoja se kush bridhte pas qingjave ?! Babai i mitur apo unë vete? Fshatrat e Prespës qenë ndryshe. Liqeni i bënte ato te bute,piktoresk. Por edhe këtu infrastruktura linte shumë për të dëshiruar. Ndjeja dhimbje për këtë. Përmirësimi, shtimi i udhëve do të sillte patjetër zhvillimin e kësaj zone. Në këtë mënyrë turizmi do merrte një hop të ri. Pelisteri më tërhoqi së tepërmi. Mal aq të lartë nuk kisha mundur të shihja asnjëherë në Australi. Edhe këtu si në Këshavë e Ostrec njerëzit qenë miqësor. U largova prej fshatrave të Prespës mes një pezmi të dyfishtë. Përse vallë shqiptarët e Australisë nuk kthenin kokën, nuk investonin seriozisht në vatrën e tyre amtare?! Vizita në Manastir ma shtoi më tej trishtimin. Për fat të keq atje nuk shquajta as edhe një shenjë të vogël shqiptarie. Ndonëse u enda disa orë nëpër qytet nuk munda të gjeja as shtëpinë e Qirjazajve të njohur. E kisha imagjinuar ndryshe Manastirin. Në trurin tim,përmes Kongresit të famshëm të shkronjave të para shqipe,ai lartohej bukur e madhërishëm si vetë kulla e sahatit të madh. Por jo. Atje nuk kish asgjë shqiptare. Bile në një shitore ku kërkova diçka për të pirë nuk më folën as shqip e as anglisht. Mezi u morra vesh me ta pasi unë nuk njoh asnjë fjalë të vetme në sllavisht. Sidoqoftë, zemrën porsi ai dielli i mëngjezit në të hyrë të dimrit ma ngrohu Struga. Ky qytet i bukur buzë liqenit të madh jo vetëm që llafoste shqip por edhe frymonte po në të nëjtën mënyrë. Ndryshe prej Manastirit e Ohrit, nëpër udhët e tij do shihje edhe tabela të shkruara në gjuhën shqipe. Pikërisht këtu ndjeva për herë se ndodhesha në vendin tim. Të paharuara do me mbeten ne mendje vizitat që kreva në Shkup e Tetovë. Çarshia e vjetër më habiti me origjinalitetin e saj . në Shkup një shqiptar më kallëzoi edhe vendin ku do të ngrihej së shpejtio monumenti i Gjergj Kastriot Skëndërbeut. Më pëlqeu pozicioni. Ai do të lartohej karshi kalasë, buzë Vardarit të gjërë që më kujtoi Jarrën e Melburnit. Kalaja vete nuk m’u duk aq e lartë. Zemra më thoshte se kështjella e Skënderbeut në Krujë do të ishte shumë më e lartë, shumë më madhështore se ajo. Ndonëse e vogël dhe më pak e bukur se Shkupi, Tetova me te drejtë ka famën e kryeqëndrës shqiptare të Iliridës. Aq shumë flamuj kuq e zi pashë atje sa nuk i kisha parë kurrë në jetën time. Natyrisht as edhe në festivalet e Fustkrajit (Melburn), Dandenongut apo Shepartonit, ku çdo vit mblidhen me mijëra e mijëra shqiptarë të Australisë. Ndërsa Sharri madhështor, në të cilin pak vite më parë patën luftuar për liri aq shumë shqiptarët ja shtonte me tej heroiken këtij qyteti legjendar.Ne qendër,para biblotekes kryesore gjëndej shtatorja e poetit tonë kombëtar, Naim Frashërit. Atje ju luta një të panjohuri për të më bërë disa foto. Ato mbetën ndër kujtimet e mia më të vyera. Hyra edhe në librarinë e madhe. U mahnita. Aq shumë libra në gjuhën amtare nuk kasha parë asnjëherë në jetën time. Natyrisht, bleva vjershat e zgjedhura të Naimit. U ula në njërin prej stolave të lulishtes pranë e zura të shfletoja. Vargjet e poemës “Bagëti e bujqësi” të parat. Nuk po kuptoja se çfarë po me ndodhte? Po lexoja apo po këndoja? Po bëlbëzoja nëpër buzë këngën e bukur te Gëzim Nikës me vargjet e kësaj poeme:“O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë … Në Qafë- Thanë kalimi i kufirit shqiptaro-shqiptar më mornicoi shtatin. Për Shqipërinë Nënë më pat treguar aq shumë gjyshi. Për fat të keq, ai pat ndërrruar jetë pa mundur ta shihte atë. Por drithërimën e trupit do të ma flladiste ëmbëlsisht valëvitja e një flamuri të madh kuq e zi në pikën më të dukshme të doganës. Pas pak minutash gjendesha brenda një taksie. Përhumbja ende nuk më qe tretur. Vërtet ndodhesha në Atmëmëdhe?! Qeshë bërë një me xhamin e taksisë. Qytetet apo fshatrat që përcollëm deri sa arritëm në Tiranë nuk mund ti mbaj mend të gjitha. Veç rrugën nuk mund ta harroj kurrësesi. Më pëlqeu së tepërmi. Dhe kjo jo thjesht falë pejsazheve të mrekullueshme, ku si nëpër legjenda shfaqeshin malet e lartë e lumenjtë e kulluar, por edhe fale vetë cilësisë se saj. Ajo udhë ishte sa e re e po aq edhe moderne .Me të gjitha tabelat e nevojshme rrëfyese dhe e siguruar plotësisht prej honeve të shumta e të thella. Aq shumë më pëlqeu ajo udhë e gjarperuar saqë po ta njihja shoferin do ta kisha drejtuar makinen vete. Natyrisht, këtu nuk mund të lë pa kujtuar qytetin e Elbasanit. Ai është ndër më të përmendurit në Shqipëri. Kalaja e tij më befasoi. Ishte vërtet e madhe e me mure të trashë, po e ndërtuar në fushë (në qëndër të qytetit). Nuk pata menduar asnjëherë se kalatë shqiptare do ishin ndërtuar edhe nëpër fusha. Ato i pata fantazuar të ngritura nëpër malet e lartë, ku qe tepër e vështirë të shkelte këmba e armikut. Por nuk do zgjaste shumë qe kalaja e Petrelës, paçka se më e vogël se ajo e Elbasanit do më shfaqesh para sysh si një shqiponjë në fluturim. Meditimin ndaj saj do të ma prishte një ndër ato ndërhyrjet e rralla të shoferit që tha: - Për më pak se gjysëm ore do të jemi në Tiranë. Hyrja në kryeqytet koencidoi me rënien e muzgut. Neonet dhe yjet në qiell mplekseshin kendshem me njëra-tjetrën. Hotelet e shumtë periferik po më sillnin ndër mend shtëpitë lluksoze në Australi që zhyteshin mes blerimit. Sigurisht, Tiranën nuk mund ta krahasoja as me Melburnin, Sidnejn apo Brisbenin. Por, pa dyshim që është më e bukur se Shkupi. Në Tiranë, në mënyrë të veçantë do të më tërhiqnin ndërtimet e reja shumëkatëshe e moderne. Tiranës nuk i mungonin as rrugët e gjëra e as gjelbërimi. Të pashlyeshme do të më mbeten ne kujtesë shetitjet përgjatë “Lanës” apo bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Vizita në Muzeun Kombëtar ishte vërtet krenari. Gërshetimi antik e bashkëkohor i historisë sonë përbën një pasuri. Në këtë këndvështrim Australisë i mungojnë shumë gjëra. Portreti i Deas së Butrintit apo i Bukuroshes së Durrësit janë unikal. Piku i vizitës në Shqipëri mbetet kështjella dhe muzeu i Gjergj Kastriotit në Krujë. Sa shumë pata dëgjuar dhe ëndërruar për te. Dhe nuk isha zhgënjuer aspak. Në Krujë ndjeva për herë të parë se historia e popullit, kombit tim nuk na përket vetëm ne, por gjithë njerëzimit. Jo më kot Skenderbeu respektohet si një hero botëror. Në njërën prej lokaleve të kullës vigane Brenda kalase piva një kafe. A e dini se që andej munda të shoh edhe detin Adriatik? Ish vërtet diçka e rrallë e paperseritshme. Kuptohet në atdhe nuk mund të rrija pa vizituar Vlorën e Pavarësisë e te Ismail Qemalit. Kënaqësia në të qe e dyfishtë. Vlora shquhet jo vetëm për historinë, por edhe për hijeshine e saj. Prej kodres se Kuzbabasë ajo shfaqet si në pëllëmbë të dorës. Që andej mund të shohësh mrekullisht sheshin e Flamurit, ishullin e Sazanit si dhe vete gadishullin e Karabarunit. Udhën për në Sarandë e bëra me anije për gjatë bregut te detit.. Ishte vërtet i bukur, por i mungonte dora e njeriut. Sigurisht nuk do thoja se BREGU mund të bëhej fjala vjen si Gold Costi në Brisben, por nëse ndaj tij do qe treguar interes më i madh, turizmi do kish përparuar së tepërmi. Disa plazhe të vegjël me guralecë të bardhë do më sillnin ndër mend Oazet e rrallë australiane e jugaziatike. Si një patkua kali ngecur mes maleve Saranda sfidon ishullin grek te Korfuzit.Për fat te keq si edhe vete BREGU mbetet ende e panjohur prej agjensive të ndryshme turistike te Australise e me gjerë. Veç mrekullia e saj lidhet me qytetin e Butrintit. Mund të thuash se ai rruhet si plot 2500 vjet të shkuara. Në të nuk mungonin as amfiteatri, as pistat sportive e as vendet e pagëzimit të shtruara me mozaik. Ndërsa ne muret e lartë që përqarknin qytetin antik nuk mungojnë as skulpturat origjinale të ruajtura me kujdes siç është rasti i një luani ne një porte hyrese. Ndërkohë qe në Shqipëri,Butrinti është një qytet i zakonshem antik. Si ai e madje shumë me të rëndësishëm janë edhe shumë qytete te tjerë.Për këtë do mjaftonte te permendnim Durrësin, Lezhen, Shkodren , Beratin etj qe gjithashtu janë mbi 2500 vjeçar.Ndërkohë qe kujtojmë se vetëm amfiteatri i vjetër i Durresit qe ende egziston ne mbi gjysmen e tij duhet te këtë përmasat e stadiumit “Telstra” qe ngrihet ne qendër te Melburnut.Përmes Korfuzit si në një revistë parakalalova gjithë bregdetin e çamërisë. Gumenica më solli ndër mend Sarandën.Preveza do të më kujtonte Srugën. Ndërsa Praga mbetet jo vetëm ballkon përmbi Jon, por edhe perla e gjithë bregut të tij. Siç shprehet Kadareja i madh, Kosova e lirë e bën më të plotë shtatin e kombit tonë. Prishtina shquhet për rininë e freskine. Si në Tiranë, Melburn apo Sidnej vërsnikët e mi janë tepër të shoqëruar. U çudita e më erdhi mirë që ata shpreheshin lirshëm edhe anglisht. I ngritur karshi teatrit Kombëtar, monumenti i Skëndëërbeut më përngjau më shumë me atë të Krujës se sa atë të Tiranës. Veçse Prishtinën do e dëshiroja me më shumë blerim . Ndoshta ky pretendim vjen ngaqë unë jam lindur rritur në Melburn, në qytetin më të bleruar të botës. Sidoqoftë ishte emocionuese që ndodhesha nëpër rrugët e Prishtinës. Në Prekazin e komandantit të UCK-së Adem Jashari derdha lot gëzimi e hidhërimi bashkë. Në memorialin e tij madhështor ndjeva veten njësoj sikur të isha në Krujën e Gjergj Kastriotit .Do dëshiroja të thoja me plot gojen se Drenicën dhe Labërinë i shoh si vatrat më të zjarrta të lirisë sonë kombëtare. Kafeja në Skënderaj, fare pranë monumentit gjigand të Adem Jasharit më shijo më tepër se në hotelin “Grand”. Pikërisht, gjatë atyre minutave që qëndrova atje u binda katerciperisht se liria, Pavarësia e Kosovës është si të thuash e njëjtë me puhizën që sjell flladitja e flamujve kuq e zi në krah të Adem Jasharit. Natyrisht, nuk mund të largohesha prej Skënderajt pa vendosur me duart të dridhura një buqetë me lule në monumentin e komandantit të madh . Faleminderit Adem Jashari! Ura mbi Ibër ne Mitrovicë e ushtarët francez mbi të do më rikujtonin sërish vitet e luftës . Sa gjak i pafajshëm shqiptar qe derdhur në të. Madje sjell ndër mend se genocidi miloshevician shtatë vjet më parë pat prekur thelle të gjithë popullin Australian. Kambera atëherë priti dhe strehoi plot 4 mijë refugjatë kosovarë. Ne shqiptarët e Australisë qemë lidhur aq ngushtë me vëllezërit tanë.Ne çdo çast i gjendeshim pranë. I ktheva shpinën urës së Ibrit i mërzitur. Tehu i mprehtë i bajonetës së ushtarit francez mbante të ndarë në dy pjesë qytetin shqiptar. Kur vallë do të bashkohej ai?! Me siguri Mitrovica do të bëhej një kur Kosova do zyrtarizoj vetë Pavarësinë. Përndryshe liria çfarë kuptimi do të kishte?! Po atë ditë u nisa për në Podgoricë, kryeqytetin e Malit të Zi.Do te shkoja edhe në Ulqin. Në Melburn ka shumë shqiptarë prej trojeve tona etnike në këto…Mal te Zi. Prej tyre kam shumë miq. Ulqini me pëlqeu.Por nuk munda teshkoja ne Tivar.Si edhe ne Manastir ne qytetin e vjetër nuk mund ti shquaje as edhe një shenjë shqiptarie.Kurse ne qytetin e Barit pranë detit shqiptarët sikur janë humbur,sikur janë tretur.U ktheva sërish ne Ulqin.Atje ishte ndryshe.Të vinte ne gjume gjuha shqipe.Kjo me qetesonte, me shlodhte.
Natën e mirë.

Arber Kondi


Shkrimi eshte botuar me pelqimin e autorit.